Në kuadër të projektit COWEB (Virtual Collaborative Learning in WB HEIs), stafi i Fakultetit të Menaxhimit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE) në përbërje të Muhamet Gërvalla, Gonxhe Beqiri, Engelbert Zefaj dhe Kestrim Avdimetaj përfaqësuan UBT-në në Universitetin EMUNI, në Piran, Slloveni. Ata morën pjesë dhe kontribuuan aktivisht në aktivitetet e radhës së projektit.
Gjatë sesioneve të organizuara, u prezantuan arritjet e deritanishme të projektit, duke përfshirë implementimin e VCL (Virtual Collaborative Learning) në nivel rajonal, ku janë angazhuar disa nga profesorët, e-tutorët dhe studentët e UBT-së. Diskutimet u fokusuan gjithashtu në planifikimin e VCL-së ndërkombëtare dhe aktiviteteve të tjera të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të projektit. Në këtë kuadër, u trajtuan edhe mundësitë për bashkëpunime të reja me partnerët ndërkombëtarë dhe angazhimet e stafit për publikimin e një libri që trajton temën e VCL-së.
Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe synon të promovojë aplikimin e teknikave të Bashkëpunimit Virtual në Mësimdhënie (VCL) si një qasje inovative pedagogjike, me fokus në bashkë-krijimin e hapësirave virtuale dhe të përziera të të mësuarit, si dhe përmbajtjen e kurseve që nxisin aftësitë dhe kompetencat e shekullit të 21-të për studentët. Po ashtu, projekti synon të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet IAL-ve dhe studentëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Projekti bashkon 3 IAL nga BE-ja dhe 7 IAL nga Ballkani Perëndimor, duke krijuar një platformë për të ardhmen e inovacionit në arsimin e lartë.