Fakulteti Juridik në UBT ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Justice, Security and Human Rights” (ICJSHR-LFUL 2025), të mbajtur në ambientet e Universitetit Luarasi në Tiranë.
Konferenca, e cila u zhvillua në kuadër të Ditës së Evropës, mblodhi së bashku personalitete të njohura akademike, përfaqësues institucionalë dhe ekspertë të fushave të drejtësisë, sigurisë dhe të drejtave të njeriut, nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni.
UBT ishte pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme si partnere akademike dhe u përfaqësua nga Dr. Egzone Osmanaj, Zëvendësdekane e Fakultetit Juridik, e cila mbajti një fjalë përshëndetëse në sesionin plenar, si dhe prezantoi dy punime shkencore në sesionet tematike të konferencës.
Konferenca u shënua nga një frymë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe akademik, duke ofruar një platformë të vlefshme për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe praktikave të mira në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë.
UBT, përmes përfaqësuesve të tij dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucione të tjera akademike në Shqipëri, po dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm në avancimin e dijes juridike, promovimin e të drejtave të njeriut dhe ngritjen e standardeve të arsimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.