UBT News

UBT organizon punëtori përgatitore në kuadër të projektit ndërkombëtar COWEB

Në kuadër të projektit ndërkombëtar COWEB, i mbështetur nga programi Erasmus+, Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT organizoi një punëtori përgatitore me studentët pjesëmarrës në këtë iniciativë të rëndësishme ndërkombëtare.

Punëtoria u udhëheq nga Dekani i Fakultetit MBE, Prof. Muhamet Gërvalla, në bashkëpunim me profesorët Gonxhe Beqiri, Engelbert Zefaj dhe Kestrim Avdimetaj, dhe kishte për qëllim përgatitjen e studentëve për prezantimin virtual të planeve të tyre të biznesit më datë 4 qershor, përpara një komisioni vlerësues ndërkombëtar. Studentët kanë punuar për pesë javë me radhë në mënyrë virtuale, së bashku me bashkëmoshatarë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke zhvilluar ide inovative për shërbime turistike digjitale.

Propozimet e tyre janë të orientuara drejt objektivave të “Shtegut Trans Dinarik”, një rrugë ndërkombëtare për biçiklistë që kalon nëpër territorin e Kosovës, nga Vërmica deri në Kullë. Këto projekte synojnë të ofrojnë zgjidhje digjitale që përmirësojnë përvojën turistike dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajon.

Projekti COWEB – që fokusohet në konceptin e Mësimit me Bashkëpunim Virtual (Virtual Collaborative Learning) – ka nisur në vitin 2023 dhe tashmë ka hyrë në fazën përmbyllëse. Në këtë projekt marrin pjesë 10 universitete nga 7 vende të ndryshme, përkatësisht 3 nga Bashkimi Evropian dhe 4 nga Ballkani Perëndimor.

Ky aktivitet është një tjetër dëshmi e përkushtimit të UBT-së ndaj përfshirjes në projekte ndërkombëtare, si dhe ndaj promovimit të ndërmarrësisë, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm turistik, duke ofruar mundësi të reja për studentët e saj në një kontekst ndërkombëtar dhe bashkëkohor.

Exit mobile version