UBT News

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës

Më 24 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës (IC-CEIE 2026), e cila synon të bashkojë akademikë, studiues, inxhinierë dhe profesionistë të industrisë për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja, si dhe për të diskutuar zhvillimet më të fundit shkencore, sfidat dhe inovacionet në sektorin e ndërtimit, infrastrukturës dhe mjedisit.

Konferenca do të krijojë një platformë bashkëpunimi ndërmjet akademisë, kërkimit shkencor dhe praktikës profesionale, duke nxitur zhvillimin e zgjidhjeve inovative dhe të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballet industria e ndërtimit dhe e infrastrukturës.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, theksoi rëndësinë e kësaj konference në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit profesional.

“Përmes IC-CEIE 2026 synojmë të forcojmë lidhjen ndërmjet akademisë, kërkimit shkencor, industrisë dhe profesionistëve të fushës, duke krijuar një platformë të përbashkët për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira. Pjesëmarrja e profesionistëve dhe anëtarëve të Odës së Inxhinierëve i jep konferencës një dimension të veçantë, duke afruar kërkimin dhe edukimin universitar me sfidat reale të industrisë dhe praktikës inxhinierike. Synimi ynë është që ky bashkëpunim të kontribuojë në zhvillimin e zgjidhjeve inovative, të qëndrueshme dhe të zbatueshme për sektorin e ndërtimit, infrastrukturës dhe mjedisit”, ka thënë Krelani.

Një element i rëndësishëm i konferencës është edhe përfshirja e Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, përmes së cilës pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë pikë profesionale, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin e kompetencave në fushën e inxhinierisë.

Përmes organizimit të IC-CEIE 2026, UBT vazhdon të promovojë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave profesionale dhe zhvillimin e praktikave bashkëkohore në funksion të infrastrukturës së qëndrueshme.

Exit mobile version