UBT News

UBT organizon Akademinë Verore për Edukim dhe Zhvillim Profesional – Fokus në sfidat e së ardhmes

Departamenti për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT organizoi me sukses Akademinë Verore 2025, e cila u mbajt në formatin online më 8 korrik, duke ofruar një platformë të hapur për diskutime dhe shkëmbim njohurish në fusha të rëndësishme si edukimi, teknologjia, psikologjia, zhvillimi i karrierës dhe kërkesat e tregut të punës.

Ngjarja u hap nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi rëndësinë e përgatitjes profesionale dhe të përshtatjes së arsimit me zhvillimet teknologjike dhe ekonomike në nivel global. Ai vlerësoi se Akademia Verore po shndërrohet në një traditë të dobishme për zhvillimin institucional dhe personal të pjesëmarrësve.

Programi i akademisë përfshiu ligjërata nga ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, ndër të cilët:

  • Dr. Denis Celcima, i cili trajtoi ndikimin e inteligjencës artificiale në psikologjinë njerëzore;
  • MSc. Venera Kamberaj, e cila foli për rëndësinë e praktikës profesionale për studentët e rinj;
  • Dr. Besnik Skenderi, që prezantoi trendet e reja në menaxhimin e projekteve;
  • Dr. Blerton Abazi, i cili diskutoi mbi sfidat dhe rëndësinë e sigurisë kibernetike në epokën digjitale;

Si dhe ekspertë të tjerë që trajtuan tema mbi ekosistemin e UBT-së, zhvillimin e kompetencave në raport me industrinë dhe teknologjitë e avancuara si inteligjenca artificiale dhe realiteti virtual.

Përmes kësaj Akademie, UBT dëshmoi edhe një herë përkushtimin e saj për të ofruar arsim bashkëkohor, të lidhur ngushtë me tregun e punës dhe me sfidat e kohës moderne. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime aktive dhe patën mundësi të përfitojnë nga eksperiencat e ligjëruesve, duke marrë njohuri të reja dhe ide praktike për zhvillimin e mëtejshëm profesional.

Exit mobile version