Nën patronatin e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, të hënën më 26 maj 2025, në Sallën e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, duke filluar nga ora 10:00, do të organizohet një Akademi Përkujtimore për të nderuar jetën, veprën dhe trashëgiminë profesionale e njerëzore të profesor Arsim Murselit – arkitektit të njohur dhe intelektualit të shquar të komunitetit akademik.
Profesor Murseli ishte një bashkëpunëtor i respektuar, mik i afërt dhe kontribuues i rëndësishëm në rrugëtimin e UBT-së. Ai ishte ndër figurat më të dashura dhe më të përkushtuara, i njohur për mençurinë, modesti të rrallë, integritet të lartë dhe dashurinë e pakushtëzuar për dijen.
Në rolin e tij si ligjërues dhe arkitekt, profesor Murseli la gjurmë të thella përmes angazhimit të palodhur në projekte të shumta akademike e arkitektonike, duke përçuar përherë mesazhin e përparësisë së dijes, edukimit cilësor dhe formimit profesional të brezave të rinj. Si udhëheqës i degës së UBT-së në Ferizaj, ai vendosi standarde të larta të lidershipit akademik dhe krijoi një trashëgimi të qëndrueshme në edukimin e studentëve.