Në kuadër të procesit të njohjes së kualifikimeve profesionale dhe licencimit të arkitektëve nga Kosova në Bashkimin Evropian, UBT organizoi një takim të rëndësishëm pune me Prof. Dubravko Bačić, ekspert i deleguar nga BE dhe profesor në Universitetin e Zagrebit. Ky takim kishte si synim të kontribuojë në avancimin e njohjes së kualifikimeve profesionale të arkitektëve kosovarë në tregun evropian.
Takimi i parë u zhvillua me pjesëmarrjen e strukturave udhëheqëse të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Dekanen e Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, si dhe përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës. Në këtë takim u diskutua rreth cilësisë së programeve të studimeve të arkitekturës në Kosovë dhe lidhjes së tyre me tregun e brendshëm dhe të jashtëm të punës për arkitektët, si dhe procesit të licencimit.
Takimi i dytë, i karakterit bilateral, u mbajt mes Prof. Dubravko Bačić dhe Dekanit të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Prof. Binak Beqaj. Në këtë takim u diskutua rreth zhvillimeve dhe sukseseve të Fakultetit të Arkitekturës në UBT, si dhe mundësive të bashkëpunimit mes UBT-së dhe Universitetit të Zagrebit, duke përfshirë fakultetet e arkitekturës të të dy institucioneve.