UBT ka mbajtur një punëtori përmes platformës zoom me institucione të tjera partnere pjesëmarrëse të projektit PhDICTKES, për hartimin e raportit të vetëvlerësimit për studimet e doktoratës në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (ICT).
Në këtë punëtori mori pjesë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i cili ka shtjelluar sfidat e procesit të akreditimit të programeve PhD në UBT, si dhe detaje të tjera lidhur me raportin e vetëvlerësimit të programeve PhD.
Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues të institucioneve si: Linnaeus University, Norwegian University of Science and Technology, South-East European Research Centre, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Projekti PhDICTKES synon që të krijojë një shkollë kombëtare të PhD, në të cilën partnerët e institucioneve të arsimit të lartë do të kenë lehtësi për të krijuar një kurrikulë model për programin e doktoratës në ICT (Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit), duke përfshirë drejtpërdrejt institucionet e vendit që kanë demonstruar përvojë të gjatë në programe të ngjashme.