UBT mirëpriti Drejtorin e Operacioneve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) në Ministrinë e Drejtësisë, Alban Sutaj, i cili zhvilloi një ligjëratë tematike për studentët e Departamentit të Studimeve të Sigurisë.
Ligjërata u organizua nën shoqërimin e Profesorit Elton Tota, dhe trajtoi tema kyçe mbi sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga aktivitetet kriminale, si një element thelbësor në luftën kundër krimit dhe forcimin e sigurisë publike.
Gjatë ligjëratës, Sutaj u ndal tek aspektet ligjore, puna e Agjencisë, dhe bashkëpunimi ndërinstitucional e ndërkombëtar për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Ai shpjegoi gjithashtu proceset për ruajtjen e vlerës së pasurive, dhënien me qira, shitjen dhe ridestinimin e tyre për përdorim shoqëror.
Ligjërata u prit me interes të madh nga studentët, të cilët përmes një bashkëbisedimi të hapur dhe pyetjeve të parashtruara, patën mundësinë të shprehin vlerësimet dhe pikëpamjet e tyre, duke u njohur më nga afër me punën e Agjencisë dhe rëndësinë e saj në shoqëri./UBTNews/