UBT ka shënuar 13-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës përmes një ngjarje madhështore, pjesë e së cilës ishin stafi dhe studentët e UBT-së.
Në ceremoninë e cila u zhvillua virtualisht, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi kujtoi rëndësinë e kësaj dite, si dhe sakrificat për liri dhe pavarësi të një shteti demokratik.
“Liria dhe Pavarësia e Republikës së Kosovës u arrit me shumë sakrificë. Derisa festojmë frytet e lirisë dhe pavarësisë sonë, duhet të kujtojmë sakrificën e atyre që e bënë këtë të mundur, dëshmorët e kombit, veteranët e luftës, familjet e tyre, aktivistët politikë, aktivistët për të drejtat e njeriut, mjekët, mësimdhënësit dhe diasporën tonë”, tha rektori Hajrizi.
Ai ka thënë se UBT për 20 vite ka dhënë kontribut të madh për shtetin e Kosovës, në ndërkombëtarizimin dhe rritjen akademike të shumë të rinjve, që në të ardhmen do të jenë profesionistë në fushat e tyre përkatëse.
“Shtatë vite përpara se Kosova të shpallej shtet i pavarur, përpara se të kurorëzonte me pavarësi shtetësinë e saj, ne filluam rrugëtimin tonë akademik për të bërë diçka ndryshe, për të kontribuar në krijimin e një brezi të ri, të shkolluar e akademik, që Kosovës do t’i dalin zot, e do e udhëheqin në të ardhmen në procese të ndryshme, në fusha të ndryshme”, ka thënë prof.dr. Edmond Hajrizi.
UBT për nder të 13-vjetorit të pavarësisë ka ndarë mbi 300 bursa studimi për studentë të dalluar, të cilët kanë treguar sukses në studime, kështu duke dëshmuar përkushtimin për studentët dhe cilësinë që UBT gjithmonë e ka mbajtur në nivele të larta.
Ndër të tjera, me vendim të Këshillit Akademik të UBT-së, sot u konfirmuan edhe thirrjet akademike për 100 profesorë.
Në këtë ceremoni ka performuar edhe bendi i UBT-së, i përbërë nga studentë të Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment.
UBT çdo vit feston dhe organizon ceremoni për nder të Pavarësisë së Kosovës, që shërben si një ditë reflektimi mbi të arriturat dhe kontributin e UBT-së në ngritjen e cilësisë akademike, për sukseset e institucionit dhe studentëve, si dhe për ndërkombëtarizimin e vendit dhe ngritjen e imazhit të Kosovës nëpër botë.