UBT News

UBT organizoi Akademi Përkujtimore në nder të Prof. Dr. Naser Kamberit

Në UBT u mbajt Akademi Përkujtimore për Prof. Dr. Naser Kamberin, nën patronatin e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi. Kjo ngjarje u organizua për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të profesor Kamberit – një ndër figurat kyçe të arsimit të lartë dhe një intelektual që dha gjithçka për përparimin e dijes dhe zhvillimin e studentëve në Kosovë e më gjerë.

Në hapje të ceremonisë, pas pritjes së të ftuarve dhe një minute heshtjeje në nderim të profesorit, fjalën e mori Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi kontributin e veçantë të prof. Kamberit në ndërtimin e programeve akademike dhe ngritjen e kapaciteteve shkencore në institucion:

Profesor Naser Kamberi ishte një prej themeleve të fuqishme të UBT-së në fushën e shkencave të agrikulturës dhe mjedisit. Ai ishte shembull frymëzues i përkushtimit, dijes dhe vlerave të larta profesionale. Kontributi i tij nuk do të harrohet kurrë – ai jeton në brezat e studentëve që ai edukoi me aq dashuri”.

Në vijim, për jetën dhe kontributin profesional të profesorit foli edhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Agrikulturës dhe Mjedisit, Prof. Dr. Fidan Feka, i cili lexoi jetëshkrimin e të ndjerit dhe ndau disa kujtime të veçanta:

Profesor Kamberi ishte një njeri me shpirt të madh dhe dije të thellë. Ai i qasej çdo sfide me seriozitet dhe përkushtim të pashoq, dhe ishte gjithmonë i gatshëm të ndihmonte studentët dhe kolegët e tij. Kemi humbur një njeri të urtë dhe të pazëvendësueshëm”.

Në emër të institucioneve lokale, fjalën e mori Zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili u shpreh:

Presheva ndjehet krenare që pati një personalitet si profesor Kamberi. Ai ishte ambasador i dijes, bashkëpunimit dhe integrimit akademik në mbarë hapësirën shqiptare. Trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë në çdo student që ndoqi rrugën e tij”.

Akademia Përkujtimore u përmbyll me emocione, reflektim dhe mirënjohje të thellë për figurën dhe veprën e prof. Dr. Naser Kamberit – një njeriu që i dha arsimit më shumë se një jetë, duke frymëzuar breza të tërë përmes dijes, përkushtimit dhe vizionit të tij.

Exit mobile version