Si institucion lider i arsimit të lartë në vend, UBT menjëherë pas ndarjes së mbi 300 bursave të studimit për të rinjtë kosovarë është solidarizuar me popullin e Ukrainës, duke iu ofruar mundësinë një numri të të rinjve ukrainas për të studiuar në UBT.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka thënë se arsimimi është një prej prioriteteve kryesore për zhvillimin e shoqërisë, dhe kësisoj UBT vazhdon t’i përkrahë të rinjtë dhe të kontribuojë në shoqëri në forma të ndryshme.
“Gjithmonë kujtojmë nevojën kur edhe ne kishim nevojë për mësim dhe edukim në luftën në Kosovë. Kujtojmë shtëpiat shkolla dhe sakrificën e gjithësecilit për t’u arsimuar, si dhe vështirësitë që kemi pasur për t’u edukuar dhe shkolluar. Duke u nisur nga kjo, si një popull i sapo dalë nga lufta, të rinjve ukrainas duhet t’iu qëndrojmë pranë, sepse arsimimi nuk duhet ndalur as në kohë luftërash”, ka thënë rektori Hajrizi.
UBT i bashkëngjitet institucioneve dhe shteteve perëndimore demokratike të cilat po qëndrojnë krahë popullit ukrainas, duke i ndihmuar në forma të ndryshme pas agresionist rus në Ukrainë.