Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me rektoren e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, prof. dr. Kseanela Sotirofski.
Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi, UBT dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” do të shtrijnë bashkëpunimin në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta kërkimore, shkencore dhe kulturore.
Ndër të tjera, ky bashkëpunim mes UBT-së dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, parasheh edhe bashkëpunimin në projekte të përbashkëta me interes për të dyja palët.
Rektori Hajrizi dhe rektorja Sotirofski, në këtë takim ndanë përvojat dhe eksperiencat e tyre në kuadër të diplomave të përbashkëta dhe partneriteteve me institucione ndërkombëtare partnere, duke luajtur kështu një rol kyç në ndërkombëtarizimin e arsimit.
Bashkëpunimi mes UBT-së dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” nuk ka munguar, pasi që UBT është partner me këtë institucion të arsimit të lartë edhe në disa projekte të tjera të përbashkëta, si dhe rrjeta të universiteteve në Evropë dhe Ballkan.