Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Presidentin e R.I. Group, Salvatore Tafuro, me qëllim të zhvillimit të edukimit, të projekteve inovative në fushën e ndërtimit modular me fokus në banim, shëndetësi, siguri dhe energji.
UBT do të vendos fushë të veçantë për studimin e ndërtimeve modulare dhe të parafabrikuara me përdorim në fushën e banimit, sigurisë, mjekësisë, energjisë, dhe do të ketë përkrahjen e kompanisë R.I. Group, në të cilën studentët me propozime konkrete do të kenë mundësi qëndrimi në kompani dhe bashkërisht do të krijojnë prototipe inovative në këtë fushë.
Të dy institucionet, UBT dhe R.I. Group, pretendojnë të ndërtojnë një qendër të përbashkët të inovacionit për këtë fushë.
Gjatë qëndrimit të tij në Itali, Rektori Hajrizi me ftesë të veçantë ka vizituar Kompaninë Globale për ndërtime modulare R.I. Group në Lecce të Italisë, me ç’rast ka parë nga afër punën, si dhe inovacionet dhe zhvillimet e fundit në këtë sektor të rëndësishëm.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare të UBT-së dhe kontribuon në promovimin e bashkëpunimit për avancimin e njohurive dhe praktikave të reja në fushën e ndërtimit dhe zhvillimit të projekteve të qëndrueshme.