UBT në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare “VATRA” dhe Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare, nën patronatin e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare dhe lobuesit më të madh në ShBA për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Jim Xhema, mbajti koncertin madhështor me Filharmoninë e Kosovës.
Në këtë koncert morën pjesë personalitete të ndryshme nga politika, akademia, arti e kultura, në mesin e të cilëve ishte: Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Veprimtari i shquar i çështjes shqiptare në Amerikë, Jim Xhema, miku i madh i shqiptarëve, Christopher Hyland, kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Presidenti i Federatës Panshqiptare “VATRA”, Elmi Berisha, Presidenti i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti, profesorë e staf nga UBT, si dhe personalitete të tjera.
Koncerti madhështor që bashkoi figura të shquara dhe kontribuuesit e shtetësisë së Kosovës, u drejtua nga dirigjenti i njohur amerikan David Hayes.
Në këtë koncert u interpretua vepra “Hyland Mass Op. 130” e kompozitorit nga Malta Joseph Vella në dirigjimin e mjeshtrit amerikan David Hayes.
Në rolin e solistëve u prezantuan solistë nga Filharmonia e Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri); sopranoja Adelina Paloja, altoja Françeska Pjetri, tenori Klodian Kaçani, baritoni Erion Sheri, basi Xhieldo Hyseni, sopranoja Arta Jashari dhe Nard Gllavurda (nga kori i fëmijëve “Okarina”).