UBT News

UBT ndihmon Komunën e Ferizajt në hartimin e strategjisë: “Zhvillimi Ekonomik i Ferizajt 2024-2030”

Organizuar nga Drejtoria Komunale e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, gjatë ditës së sotme është mbajtur punëtoria “Zhvillimi Ekonomik i Ferizajt 2024-2030”, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të UBT-së.

Me një fjalë rasti të pranishmëve i është drejtuar edhe nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, i cili ka thënë se zhvillimi ekonomik është pjesa më e rëndësishme e zhvillimit të një komune ndërsa ka shprehur mbështetjen e komunës për të gjitha fazat në të cilat do të kalojë projekti i hartimit të strategjisë.

Në këtë punëtori, drejtori i Institutit për Studime Urbane, Shqiprim Ahmeti, si dhe profesori i UBT-së, Hazer Dana, në emër të rektorit Hajrizi, rikonfirmuan edhe njëherë gatishmërinë e UBT-së për ta mbështetur projektin për hartimin e Strategjisë për Zhvillimin Ekonomik të Ferizajt, me resurse njerëzore, intelektuale e profesionale, si dhe me infrastrukturën hulumtuese me të cilën UBT operon për çdo ditë.

Tutje, drejtori Ahmeti ka përshëndetur iniciativën për bashkëpunim shumëpalësh në këtë projekt, duke theksuar se ky bashkëpunim i institucioneve vendimmarrëse me institucionet arsimore e akademike në njërën anë, si dhe me industrinë në anën tjetër është nevojë dhe domosdoshmëri.

“Impakti pozitiv dhe përfitimet e këtij bashkëpunimi nuk mbeten të kufizuara vetëm me palët bashkëpunuese, për më tepër, krijimi i një kulture dhe klime të këtij lloj bashkëpunimi është në të njëjtën kohë edhe tregues i qasjes konstruktive dhe të orientuar kah e ardhmja, por edhe garancë dhe premisë e kualitetit të punës e cila derivon nga kjo qasje dhe nga ky orientim”, ka thënë drejtori i Institutit për Studime Urbane në UBT, Shqiprim Ahmeti.

Në këtë punëtori, morën pjesë edhe zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, përfaqësues të universiteteve private në Kosovë, përfaqësues të Qendrës për Punësim, Odës Ekonomike të Kosovës, përfaqësues të AKB-së, përfaqësues të Agjencisë Kiesa, përfaqësueses së Odës së Hotelerisë dhe Turizmit si dhe përfaqësues të Odës Gjermane Kosovare.

Exit mobile version