Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në një mbledhje komemorative të organizuar për të nderuar jetën dhe veprën e epidemiologut të njohur, Prof. Dr. Isuf Dedushaj, një personalitet i jashtëzakonshëm në fushën e mjekësisë dhe shkencës shqiptare.
Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka qenë një figurë e shquar jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë kombet shqiptare, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e shëndetësisë publike, kërkimit shkencor dhe edukimit të brezave të rinj. Ai u dallua për profesionalizmin e tij të lartë, përkushtimin dhe vizionin që kishte për avancimin e mjekësisë, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Rektori Hajrizi pati nderin të njihej dhe të bashkëpunonte me Prof. Dr. Dedushajn, një personalitet i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e shëndetësisë dhe shkencës. Rektori shprehu mirënjohjen e tij për përkushtimin e Dedushajt në ngritjen e kapaciteteve humane, implementimin e standardeve ndërkombëtare dhe organizimin e konferencave shkencore të rëndësishme në fushën e mjekësisë.
“Humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh në komunitetin shkencor dhe mjekësor, por trashëgimia e tij intelektuale dhe humane do të jetë gjithmonë një frymëzim për brezat që do të vijnë”, shkruhet në telegramin e ngushëllimit dërguar nga UBT.
Në telegram ngushëllimi po ashtu, shprehet mirënjohje dhe respekt për të gjitha arritjet dhe kontributet e Prof. Dr. Dedushaj, duke e konsideruar atë një figurë të pazëvendësueshme për mjekësinë dhe shkencën shqiptare./UBTNews/