UBT ka mirëpritur 10 talentet e industrive kreative fituese të garës “Innovation Unleashed: A Challenge for Creative Minds”. Me mbështetjen e Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë, ky projekt synon të krijojë mundësi për zhvillimin e produkteve të reja inovative dhe përmirësimin e ekonomisë vendore përmes fuqizimit të ideve krijuese.
Në kuadër të kësaj nisme, talentët pjesëmarrës kanë pasur mundësinë të marrin mentorim nga ekspertët më të njohur të UBT-së, të cilët u kanë ofruar udhëzime dhe mbështetje në zhvillimin e aftësive të tyre në sipërmarrje dhe vetëpunësim. Kjo mbështetje ka si qëllim përgatitjen e të rinjve për të qenë udhëheqës të mundshëm të industrive kreative, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë ide novatore dhe të krijojnë mundësi biznesi.
Gjatë këtij eventi, u mbajt një takim i veçantë me Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe profesorë të Fakultetit të Artit, Mediave Digjitale dhe Dizajnit të Integruar, ku talentet prezantuan projektet e tyre inovative. Ata ndanë ide që përfshinin një platformë të dedikuar për postimin e ngjarjeve kulturore javore dhe mujore, që mundëson krijimin e mundësive për organizimin e aktiviteteve kulturore në mbarë Kosovën. Po ashtu, u paraqitën produkte të avancuara që përdorin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale (AI) për personalizimin e enterierëve, duke ofruar mundësi për dizajnin e hapësirave të brendshme të përshtatshme për çdo individ dhe klient.
Projektet që u prezantuan gjithashtu përfshinin produkte të tjera kreative, si pajisje dhe objekte të dizajnuara për t’u përshtatur me nevojat dhe dëshirat e klientëve, që kanë potencial për të hapur mundësi të reja tregu për bizneset vendore. Këto ide tregojnë angazhimin e rinisë kosovare për të ofruar zgjidhje të reja dhe novatore për nevojat e ndryshme të shoqërisë.
Rektori Hajrizi, gjatë takimit, dëgjoi me kujdes secilin projekt dhe ndau mendime dhe këshilla praktike që do t’i ndihmojnë këta talente të rinj të përmirësojnë produktet dhe idetë e tyre, duke ofruar mbështetje dhe motivim për ta arritur suksesin në fushën e sipërmarrjes. Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të industrive kreative dhe mundësitë që ky sektor mund të krijojë për të rinjtë, si dhe rolin e UBT-së si një faktor kyç në mbështetje të zhvillimit të këtyre industrive në Kosovë.
Aktiviteti është dëshmi e angazhimit të UBT-së për të kontribuar në zhvillimin e aftësive profesionale të studentëve dhe të rinjve të Kosovës, duke i mbështetur ata që të bëhen liderë dhe inovatorë në fushat e tyre. Ndihma që këta talente kanë marrë nëpërmjet mentorimit dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë do t’u mundësojë atyre të shndërrojnë idetë e tyre kreative në mundësi të qëndrueshme biznesi, duke kontribuar kështu në forcimin e sektorit të industrive kreative në vend./UBTNews/