Një grup studentësh nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ka qëndruar në UBT për një vizitë në Parkun Shkencor Inovativ në Lipjan, si pjesë e projektit ndërkombëtar “VIRTUAL”. Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e nivelit të kompetencave, aftësive dhe potencialit të punësimit të studentëve të arsimit profesional.
“VIRTUAL” është një iniciativë që synon përgatitjen e studentëve në sektorin e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) përmes metodave inovative dhe teknologjive të fundit. Në veçanti, projekti përfshin përdorimin e Realitetit Virtual (VR), Realitetit të Shtuar (AR) dhe simulatorëve modernë për të ofruar një përvojë më të mirë edukative dhe praktike.
Vizita në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së ofroi studentëve një mundësi të shkëlqyer për t’u njohur me teknologjitë më të avancuara të përdorura në fushën e turizmit, mikpritjes dhe shërbimeve të tjera.
Drejtoresha e kampusit, Lirigzona Morina, njoftoi studentët në njohjen e tyre me mundësitë e shumta që ofron UBT. Ajo i njoftoi studentët për të gjitha aspektet e arsimit në UBT, duke theksuar rëndësinë e infrastrukturës moderne, laboratorëve të avancuar dhe teknikave inovative që mbështesin procesin mësimor.
Morina shprehu gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme të përbashkëta me studentët nga rajoni dhe trevat shqiptare. Ajo theksoi se UBT është e angazhuar për të krijuar mundësi të reja për zhvillim profesional dhe për të ndihmuar studentët të përmirësojnë aftësitë e tyre për t’u përgatitur për tregun e punës.
Kjo përvojë ndihmoi studentët të kuptojnë se si teknologjitë e realitetit virtual dhe të shtuar mund të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe edukimit në industrinë e turizmit, një sektor kyç për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Bekim Marmullaku, profesor në UBT, theksoi rëndësinë e këtij projekti dhe bashkëpunimin mes universiteteve partnere të rajonit për të sjellë së bashku të rinjtë në fushën e arsimit.
“Sot, në kuadër të projektit ‘VIRTUAL’, të financuar nga ERASMUS+ dhe Bashkimi Evropian, UBT-ja, së bashku me partnerët e saj rajonalë dhe evropianë, po zhvillon trajnime për realitetin e shtuar dhe virtual. Trajnimi udhëhiqet nga profesorët e UBT-së, të cilët janë ekspertë në fushën e tyre, dhe në përfundim të trajnimit, studentët do të marrin një certifikatë për arritjet e tyre”, u shpreh profesori Marmullaku.
Një nga studentët, Erion Mazreku nga Universiteti Europian i Tiranës, ndau përvojën e tij me mediat duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e arsimit dhe zhvillimit profesional.
“Në kuadër të projektit kemi vizituar Prishtinën dhe kampusin e UBT-së, dhe shpresojmë që projekte të tilla të vazhdojnë në arsim dhe në fusha të tjera mes trojeve tona shqiptare. Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në edukim dhe zhvillimin e aftësive profesionale të studentëve në rajon”, tha Mazreku.
Studentët do të qëndrojnë në Kosovë për tri ditë, gjatë të cilave do të kenë mundësi të tjera për të eksploruar vendin, të njohin kulturën lokale dhe të angazhohen në aktivitete të ndryshme që promovojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave mes brezave të rinj./UBTNews/D.E.