UBT News

UBT mirëpret profesoreshën Erin Davis për një ligjëratë mbi “Art Therapy” për studentët e Psikologjisë dhe Arteve Digjitale

Fakulteti i Psikologjisë dhe Fakulteti i Arteve dhe Mediave Digjitale në UBT organizuan sot një ligjëratë të veçantë mbi temën “Art Therapy”. Ligjërata u realizua nga Prof.Dr. Erin Davis nga Indiana University, një eksperte e njohur në fushën e përdorimit të artit si mjet terapeutik dhe një Fulbright Specialist, ndau përvojat dhe njohuritë e saj mbi përdorimin e artit si mjet teraputik për përballimin e traumave, shprehjen e emocioneve dhe përmirësimin e mirëqenies psikologjike.

Gjatë prezantimit të saj, profesoresha Davis theksoi rëndësinë e artit si një mjet të fuqishëm në procesin teraputik. Ajo ndau përvoja dhe hulumtime nga praktikat e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shpjeguar sesi përdorimi i artit mund të ndihmojë individët të shprehin emocionet, të përballen me trauma dhe stres, si dhe të arrijnë një mirëqenie psikologjike më të plotë. Ajo argumentoi se arti krijon një mundësi për të lidhur mendjen dhe trupin, dhe për të kapërcyer barriera të brendshme që pengojnë shërimin dhe rritjen personale.

Profesoresha Erin Davis gjithashtu ndau shembuj konkretë të projekteve dhe metodave terapeutike që ka zhvilluar gjatë karrierës së saj, si dhe theksoi rëndësinë e integrimit të artit në terapinë psikologjike. Ajo foli për rolin e artit në proceset e rehabilitimit dhe ndikimin e tij në përmirësimin e shëndetit mendor, veçanërisht për ata që janë përballur me trauma të thella.

Në këtë ngjarje të rëndësishme ishte e pranishme gjithashtu profesoresha Marigona Bekteshi Ferati, e cila ka qenë mikpritëse e profesoreshës Erin Davis gjatë vizitës së saj në Kosovë. Profesoresha Bekteshi Ferati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e cilësuar si një mundësi të shkëlqyer për avancimin e fushës së artit dhe terapive, si dhe theksoi mundësitë që ky bashkëpunim ofron për studentët dhe profesionistët kosovarë. Ajo vuri theksin në faktin se këto lloj bashkëpunimesh do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe dhe në promovimin e njohurive dhe praktikave të avancuara në nivel global.

Ky aktivitet u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për të promovuar lidhjen mes artit dhe psikoterapisë dhe për të inkurajuar një diskutim të gjerë për mundësitë që ofrohen për përdorimin e artit në fushat e shëndetit mendor. Ai pati gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre fushave në Kosovë dhe inkurajoi shkëmbimin e ideve mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe atyre kosovarë.

Në përfundim, kjo ligjëratë u bë një mundësi e vyer për të ngritur ndërgjegjësimin dhe për të inkurajuar përdorimin e metodave kreative si pjesë e trajtimit dhe shërimit të individëve, duke e zhvilluar më tej kulturën e artit si mjet terapeutik në Kosovë./UBTNews/

Exit mobile version