“Tetori Urban” – muaji i aktiviteteve të shumta të cilat trajtojnë qytetet e së ardhmes dhe urbanizimin e qëndrueshëm. Ky tetor e gjen Kosovën me probleme dhe sfida të shumta mjedisore dhe urbane, mirëpo edhe me shumë mundësi dhe hapësirë për punë dhe përmirësim të pasqyrës aktuale.
Përderisa shumica e komunave të vendit kanë përfunduar apo janë në përfundim të hartimit të Planeve Zhvillimore Komunale, vetëm një numër i vogël i tyre kanë përfunduar hartimin e Hartës Zonale të Komunës. Kjo pasqyrë është tregues i vetëmjaftueshëm për gjendjen jo të mirë në sistemin e planifikimit hapësinor në vendin tonë.
UBT, duke u nisur nga parimi i marrjes së përgjegjësisë sociale edhe në këtë fushë, tashmë ka filluar disa iniciativa dhe projekte konkrete për të ndihmuar institucionet qendrore por edhe ato lokale në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban. Në këtë kontekst, përveç themelimit të Institutit për Studime Urbane (https://cus.ubt-uni.net/), UBT këtë vit ka akredituar edhe programin master për Planifikim Hapësinor dhe Zhvillim të Qëndrueshëm (https://www.ubt-uni.net/sq/studimi/programet-master/planifikim-urban-dhe-zhvillim-i-qendrueshem/). Të dyja këto krahas programit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në të cilin trajtohen çështjet mjedisore, urbane dhe praktikat e planifikimit për zhvillim të qëndrueshëm.
Tutje, UBT është duke zhvilluar edhe projektin në shkallë kombëtare “Smart City Kosova”, në kuadër të të cilit janë duke u hartuar strategji gjithëpërfshirëse për “Rritje të Mençur dhe Zhvillim të Qëndrueshëm” për 7 komuna të Kosovës duke përfshirë edhe Prishtinën, Pejën e Gjilanin. Projekti i cili ka target më shumë se 40% të territorit dhe më shumë se 30% të popullsisë së Kosovës është duke u zhvilluar në bashkëpunim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Aktualisht UBT dhe United Nations Kosovo Team janë duke e koordinuar iniciativën e themelimit të Qendrës Kombëtare për monitorimin e zbatimit të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (Sustainable Development Goals) në nivel kombëtar e ku do të jenë të përfshira edhe Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ndërsa paralelisht është duke punuar në konkretizimin e iniciativës “Universities for Climate Action and Resiliance” e cila synon të ndërtojë një platformë kombëtare përmes së cilës universitetet e Kosovës do të ndihmojnë institucionet qendrore dhe lokale për veprime konkrete në luftën ndaj ndryshimeve klimatike dhe përgatitjen e vendbanimeve tona për të qenë më të qëndrueshme karshi ndryshimeve aktuale dhe atyre të ardhshme.