UBT News

UBT me ekspertë në krye të Odës së Inxhinierëve të Kosovës

Arsim Rapuca, një nga profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë në UBT dhe një nga ekspertët më të njohur në këtë fushë, ka marrë pozitën më të lartë udhëheqëse si Kryetar i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës. Kjo është një arritje dhe një reflektim i mundësive që ofron UBT për studentët dhe profesionistët e fushës së inxhinierisë, duke u mbështetur në ekspertizën e thellë të profesor Rapucës dhe angazhimin e tij në zhvillimin e këtij profesioni.

Në krye të Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, përveç Kryetarit Arsim Rapuca, një vend të rëndësishëm në bordin udhëheqës ka dhe Prof. Dr. Nebi Pllana, një nga ekspertët më të njohur dhe me përvojë në fushën e Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës. Si anëtar i zgjedhur i bordit, Prof. Dr. Pllana, pjesë e kuadrove kryesore të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës në UBT, sjell një kontribut për forcimin e pozicionit të Odës dhe zhvillimin e profesioneve inxhinierike në Kosovë. Ky ekip udhëheqës, i përbërë nga ekspertët e UBT-së, garanton një drejtim të sigurt dhe një angazhim të vazhdueshëm për avancimin e inxhinierisë dhe ndërtimtarisë në vend.

Në një deklaratë pas marrjes së pozitës, Rapuca falënderoi kolegët e tij inxhinierë të fushave të ndryshme si ndërtimtari, makineri, dhe inxhinieri elektrike, për mbështetjen e tyre të fuqishme dhe për votën masive që e bëri të mundur këtë angazhim të ri. Ai premtoi që do të punojë me përkushtim dhe drejtësi për të realizuar qëllimet e Odës dhe për të kontribuar në zhvillimin e profesionit të inxhinierisë në vend.

“Falenderoj të gjithë ata që më mbështetën dhe premtoj se do të punoj drejt dhe vetëm drejt për avancimin e profesionit tonë dhe për shtetin tonë”, tha Rapuca. Ai gjithashtu falënderoi bordin e zgjedhur për mbështetje dhe bashkëpunim të ngushtë, si dhe komisionin dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për organizimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.

Me një pjesëmarrje masive, mbi 75% e anëtarëve themelues të Odës së Inxhinierëve morën pjesë në zgjedhje, duke zgjedhur një bord të ri të përbërë nga profesionistë të kualifikuar dhe të angazhuar që do të kontribuojnë në forcimin e këtij profesioni në Kosovë.

Përveç krytarit Rapuca, Oda e Inxhinierëve është nën përbërjen e shumicës së profesorëve të UBT-së, duke pasur një influencë të fortë  të ekspertëve dhe udhëheqësve akademikë të njohur të cilët do të ofrojnë një qasje moderne dhe profesionale për zhvillimin e fushës.

Ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e fushës së inxhinierisë dhe infrastrukturës në vend, dhe UBT do të vazhdojë të kontribuojë me ekspertizën e saj përmes edukimit dhe formimit të profesionistëve të fushës. Me angazhimin e profesorëve si Arsim Rapuca, UBT mbetet një udhëheqës i besueshëm në përgatitjen e ekspertëve të ardhshëm për sfidat e industrisë./UBTNews/D.E/

 

Exit mobile version