UBT News

UBT mbajti mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Ferhat Bejtullahu

Në UBT u mbajt mbledhje komemorative në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e Profesorit Ferhat Bejtullahu. Studentë, familjarë, profesorë, kolegë e miq të shumtë u mblodhën në nderim të veprës dhe kontributit të pashuar të profesorit Ferhat Bejtullahu.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi tha se profesori Ferhat Bejtullahu padyshim ka lënë gjurmë të pashlyera në fushën e arsimit në Kosovë. Ai theksoi se profesori Bejtullahu padyshim ka lënë gjurmë të pashlyera në sistemin arsimor të vendit, duke dëshmuar një profesionalizëm dhe përkushtim të lartë.

Rektori Hajrizi gjithashtu bëri një retrospektivë të veprimtarisë së shquar të profesorit Bejtullahu dhe theksoi se kontributi i tij ka qenë më shumë se thjeshtë një angazhim akademik, ka qenë një shembull i jashtëzakonshëm i predikimit të dijes dhe vlerave në shoqërinë tonë.

Në fjalën e tij, pronari i kompanisë “Tregtia”, Bedri Prishtina, vlerësoi lartë kontributin e profesorit Bejtullahu. Ai potencoi që me vendim të kompanisë në lagjen Kodrina në Prishtinë, do t’i vendoset një rruge emri i profesorit Ferhat Bejtullahu, në shenjë nderimi dhe respekti për angazhimin e tij.

Në emër të stafit të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT foli dekani Prof. Dr. Binak Beqaj, i cili shprehu ngushëllime të sinqerta për miqtë, familjarët dhe studentët për ndarjen nga jeta të profesorit Bejtullahu.

Në emër të familjes, vajza e profesorit Ferhat Bejtullahu, Sihana Bejtullahu falënderoi të pranishmit për përkrahjen dhe mbështetjen që po i ofrojnë familjes, gjatë këtyre ditëve të vështira nëpër të cilat po kalojnë.

Exit mobile version