Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.
Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi studentëve të UBT-së do t’u mundësohet puna praktike në këtë qendër, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.
Me këtë marrëveshje synohet hartimi i programeve hulumtuese konform kërkesës së tregut të punës, organizimi i përbashkët i veprimtarive shkencore dhe profesionale siç janë: simpoziumet, seminaret, konferencat, tryezat, shkollat verore, trajnimet etj.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës është qendër e cila bën mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarve të torturës dhe traumës, përmes ofrimit të shërbimeve rehabilituese, psiko-sociale, avokuese dhe monitoruese, duke i qëndruar afër kësaj kategorie përmes hulumtimit e dokumentimit për të avancuar të drejtat e tyre.