Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT ka përmbyllur të gjitha përgatitjet për Konferencën XV Ndërkombëtare për Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor.
Fushat kryesore tematike të konferencës janë: Inovacioni Arkitektonik dhe Perspektivat e Projektimit; Arkitektura e Qëndrueshme; Planifikimi Hapësinor dhe Transformimi Ekologjik; Teknologjitë Digjitale dhe Trashëgimia Kulturore.
Nga punimet e paraqitura për konferencë dominojnë temat nga fusha e arkitekturës që trajtojnë projektimin inovativ dhe biomimetik, ndërthurjen e funksioneve sociale dhe urbane në ndërtesa, ndikimin e mjedisit të ndërtuar në mirëqenien njerëzore, si dhe vlerësimin e objekteve ekzistuese dhe ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore.
Një fokus i veçantë i kushtohet zhvillimit të kërkimit arkitektonik në Kosovë dhe përshtatjes së sektorit të ndërtimit ndaj ndryshimeve klimatike.
Në fushën e planifikimit hapësinor, temat përqendrohen në zhvillimin e qëndrueshëm urban, menaxhimin e ndryshimeve klimatike, planifikimin e hapësirave të gjelbra dhe ndikimin e tyre në cilësinë e jetës.
Gjithashtu, trajtohen përdorimi i GIS-it dhe inteligjencës artificiale në vendimmarrjen komunale, ndarja rajonale e Kosovës sipas parimeve evropiane dhe qasjet strategjike për transformimin urban.
Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës e ka pranuar Konferencën Ndërkombëtare për dhënien e pikëve profesionale për pjesëmarrësit, në kuadër të angazhimit për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe avancim të kompetencave në fushën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor.
