Në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm për modernizimin e arsimit dhe përkrahjen e mësimdhënësve në epokën digjitale, UBT International Smart Schools organizoi Akademinë Verore me temën “Vlerësimi i nxënësve përmes platformave online”.
Ngjarja u mbajt më 4 korrik 2025, në hapësirat e bibliotekës së UBT-së, duke mbledhur drejtorë shkollash, koordinatorë të cilësisë dhe mësimdhënës të niveleve të arsimit parauniversitar nga e gjithë Kosova, të cilët u përfshinë në një program intensiv teorik dhe praktik për përdorimin e teknologjisë në procesin e vlerësimit të nxënësve.
Objektivi kryesor i shkollës verore:
Ndarja e përvojave inovative dhe praktikave efektive për vlerësimin cilësor të nxënësve përmes platformave digjitale, si një mjet që lehtëson punën e mësimdhënësve dhe rrit përfshirjen e nxënësve në procesin e të nxënit.
Në hapje të aktivitetit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi vizionin e institucionit për integrimin e teknologjisë në arsim dhe rëndësinë e shkollave të zgjuara në përgatitjen e gjeneratave për sfidat e së ardhmes.
Gjatë sesioneve të dedikuara, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ligjërata të shumta nga ekspertë të fushës:
- Hajrije Devetaku Gojani foli për format, instrumentet dhe kriteret e vlerësimit përmes platformave online;
- Ibrahim Nici prezantoi përvojën praktike të vlerësimit përmes platformës Moodle;
- Arbnora Asllani trajtoi përdorimin e Google Forms në testim dhe vlerësim;
- Bledi Buduri prezantoi platformën Plickers dhe ndikimin e saj revolucionar në klasë;
- Laureta Zeneli prezantoi vlerësimin përmes Kahoot, duke u fokusuar në interaktivitetin dhe motivimin e nxënësve;
- Vesa Haxhikadriu ndau përvoja rreth vlerësimit përmes platformës kreative Scratch.
Pas sesioneve prezantuese, pjesëmarrësit u përfshinë në ushtrime praktike, ku aplikuan njohuritë e fituara në dizajnimin e instrumenteve të tyre për vlerësim online. Aktiviteti përfundoi me një diskutim të hapur, ku u shkëmbyen përvoja dhe ide për përmirësimin e praktikave të vlerësimit në sistemin parauniversitar në Kosovë.
Kompetencat e fituara nga pjesëmarrësit:
Pas përfundimit të Akademisë, pjesëmarrësit janë në gjendje të:
Kuptojnë rëndësinë e përdorimit të platformave online për vlerësim;
Analizojnë përfitimet konkrete për nxënësit;
Krahasojnë platformat dhe instrumentet e ndryshme të vlerësimit;
Diskutojnë nivele të ndryshme të vështirësisë së detyrave dhe pyetjeve;
Aplikojnë shembuj të shumtë të instrumenteve në praktikat mësimore.
Ky aktivitet është pjesë e agjendës së gjerë të UBT International Smart Schools, e cila synon të nxisë digjitalizimin e arsimit në Kosovë, si dhe të fuqizojë mësimdhënësit me aftësi të shekullit XXI, për t’iu përgjigjur kërkesave në zhvillim të sistemit edukativ dhe shoqërisë digjitale.