Parku Shkencor Inovativ i UBT-së është i pari dhe i vetmi kampus në rajon që ka të integruar Net 0 Energy, përmes së cilës kombinohet efiçienca e energjisë dhe prodhimi i energjisë së ripërtritshme, tha Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në Forumin për Investime të Qëndrueshme të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë.
“Net 0 Energy Campus” do të mundësojë konsumimin e energjisë për aq sa prodhohet në vend nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme, në këtë rast panelëve solar, pa pasur nevojë që të shfrytëzojë ndonjë burim tjetër të energjisë.
“Ky sistem i ri i energjisë, i gërshetuar me teknologjinë më të fundit që ka në dispozicion UBT, është një inovacion që ndihmon jashtëzakonisht shumë në efikasitetin, qëndrueshmërinë dhe produktivitetin në mësim dhe punë”, tha Rektori Hajrizi.
Në panelin me temë: “Mobilizimi i kapitalit publik dhe privat për të përshpejtuar investimet e qëndrueshme”, Rektori Hajrizi tregoi se UBT ka të akredituara programe dhe po nxjerr kuadro të cilët janë në gjendje të menaxhojnë tregjet e reja të energjisë në përputhje me nevojat shoqërore të këtij profili. Studentët në këtë institucion përfitojnë edukim cilësor në këtë fushë, po këta studentë kanë perspektivë në tregun e punës.