UBT ka shënuar një hap të rëndësishëm në fushën e shkencës dhe hulumtimeve me hapjen e Institutit të Forenzikës, një ndër institutet e para të këtij lloji në Ballkan.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se ky institut është i nevojshëm dhe do të jap një kontribut të jashtëzakonshëm.
“Qasja ndërdisiplinore sot në fushën e forenzikës është më se e nevojshme. Duke marrë parasysh infrastrukturën, stafin dhe ambientin inovativ dhe ndërdisiplinor të UBT-së, ky institut mund të jepë një kontribut të jashtëzakonshëm”, ka thënë Rektori Hajrizi.
Ky institut i cili është shkencor dhe ndërdisiplinor do të mbulojë një gamë të gjerë temash në aspektin akademik, shkencor dhe profesional, duke përfshirë mjekësinë, kriminologjinë, teknologjinë, ushqimin, ekonominë, sigurinë, inxhinierinë, teknologjinë, artin, dhe shumë fusha të tjera.
UBT posedon laboratorë dhe personel të kualifikuar, por ka edhe partnerë ndërkombëtarë që bëjnë këtë institut inovativ dhe shumë të kërkuar në nivelin vendor dhe atë ndërkombëtar.
Këtë vit UBT ka qenë bashkë-organizator i Konferencës Ndërkombëtare në Izmir të Turqisë, ndërsa në vitin që vjen kjo konferencë do të organizohet në Kosovë.
Ky institut do të jetë një qendër që ofron trajnime, studime, hulumtime dhe zhvillim për të gjitha fakultetet dhe fushat e jetës që ofron UBT në ekosistemin e vet.