UBT News

UBT hap horizonte të reja në arsim me programe të avancuara studimi

Me vendimin e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, UBT është akredituar me një seri programesh të reja studimi, duke e konsoliduar edhe më shumë pozitën e saj si një nga institucionet lidere të arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon.

Përveç mbi 150 programeve dhe specializimeve ekzistuese, risitë e këtij viti sjellin drejtime moderne dhe të kërkuara në tregun global të punës, si: Fintech dhe Analitika e Biznesit, Fintech dhe Menaxhim i Inovacionit, Estetikë dhe Kozmetologji, Inxhinieri e Mjedisit dhe Infrastrukturë e Qëndrueshme, si dhe Inxhinieri Mekanike me fokus në teknologjitë më të avancuara industriale.

Në veçanti, programi i Inxhinierisë Mekanike është i konceptuar për të përgatitur studentët për profesionet e së ardhmes, duke integruar njohuri dhe aftësi në fusha si dizajni dhe prodhimi inxhinierik, automatizimi industrial, inxhinieria e automjeteve, teknologjitë hapësinore, sistemet e dronëve, robotika dhe sistemet inteligjente të prodhimit. Ky program synon të lidhë drejtpërdrejt studentët me zhvillimet më të fundit teknologjike dhe kërkesat reale të industrisë globale.

Po ashtu, programi Fintech dhe Analitika e Biznesit përfaqëson një kombinim të avancuar të financave me teknologjinë dhe analizën e të dhënave, duke i përgatitur studentët për karriera në banking digjital, kompani teknologjike, tregti elektronike, konsulencë dhe startup-e inovative.

Me këto zhvillime, UBT vazhdon të investojë në cilësi, inovacion dhe ndërkombëtarizim, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe konkurrencë në tregun global të punës.

Exit mobile version