Duke e parë nevojën për reagim të menjëhershëm ndaj sfidës së madhe të ndryshimeve klimatike, organizata botërore e akterë të ndryshëm nga shkenca e fusha akademike janë angazhuar për sensibilizim të opinionit të gjithmbarshëm për ndërmarrjen e hapave konkrete që ndikojnë në eliminimin e dioksidit të karbonit dhe ruajtjen e mjedisit.
UBT si institucion arsimor e shkencor është pjesë përbërëse e kampanjës së lansuar në Kosovë javën e kaluar për ndryshimet klimatike – Kosovo Climate Action Campaign – Climate Change.
Në vazhdën e aktiviteteve globale për rritje të vetëdijësimit ndaj ndryshimeve klimatike, UBT, po ashtu, është ftuar për të marrë pjesë në forumin botëror për ndryshimet klimatike – Climate Impact Forum të organizuar nga revista prestigjioze Times Higher Education në bashkëpunim me programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, thotë se krahas veprimeve të menjëhershme për zbatimin e Strategjisë së Kosovës për ndryshimet klimatike, Kosova duhet të jetë prezente edhe në forume e organizime të ndryshme ndërkombëtare në të cilat diskutohet për ndryshimet klimatike si imperativ i kohës.
“Kosova duhet ta ketë zërin e saj edhe në forumet e konferencat ndërkombëtare për ndryshimet klimatike, për të treguar seriozitetin e saj si shtet në përballjen me këtë sfidë globale. Në këtë kuadër, UBT do të jap kontributin e vet jo vetëm në aspektin akademik por edhe me veprime konkrete e të vazhdueshme”, është shprehur rektori Hajrizi.
Në këtë forum ndërkombëtarë pjesëmarrës janë ministra të qeverive të ndryshme, drejtues të institucioneve arsimore, përfaqësues nga industria dhe palë të tjera të interesit.
Times Higher Education në bashkëpunim me programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin organizon “THE Climate Impact Forum” me 28 tetor 2021.
Ky forum mbahet në vigjile të konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, në Glasgow të Skocisë, nën presidencën e Mbretërisë së Bashkuar.