UBT ka njoftuar se do të zgjerojë aktivitetet e saj përtej Kosovës, Ballkanit Perëndimor, Evropës, Britanisë dhe Azisë, duke kontribuar tani edhe në kontinentin afrikan. Ky hap ka si qëllim forcimin e sistemeve arsimore dhe mbështetje për zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe akademike të brezave të rinj në vendet afrikane.
UBT ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që do të mundësojë ofrimin e një gamë të gjerë programesh në fushën e edukimit. Këto programe do të përfshijnë krijimin e studimeve në fushat si Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, si dhe zhvillimin e Instituteve të specializuara për hulumtime dhe avancim akademik.
Modeli unik dhe inovativ i UBT-së, i ndërtuar në Kosovë për të kontribuar në zhvillimin e vendit, tani po gjen zbatim edhe në vende të tjera. Ky model është vlerësuar në mënyrë të lartë në skenën ndërkombëtare, duke u konsideruar një nga zgjidhjet për të ulur diferencën midis kërkesave të tregut të punës dhe ofrimit të kompetencave adekuate nga sistemi edukativ. Kjo është një sfidë që sistemet tradicionale të edukimit shpesh nuk e përmbushin.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë iniciativë në Afrikë është një dëshmi e angazhimit të saj për të promovuar arsimimin cilësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke kontribuar në krijimin e mundësive për të rinjtë dhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare në fushën e edukimit./UBTNews/