Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucione të rëndësishme akademike në Evropë, UBT ka nënshkruar një marrëveshje me University of Thessaly në Greqi, një universitet me reputacion të lartë ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit.
Kjo marrëveshje vendos bazat për një partneritet të thellë akademik dhe shkencor, duke përfshirë: shkëmbimin e studentëve, mobilitetin e stafit akademik, zhvillimin e përbashkët të projekteve kërkimore, mentorimin e përbashkët të disertacioneve doktorale, si dhe organizimin e praktikave profesionale dhe trajnimeve për studentët afër përfundimit të studimeve.
Një nga pikat më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi është mundësia për zhvillimin e programeve të përbashkëta ndërkombëtare të studimit, duke i ofruar studentëve një avantazh të qartë në skenën globale të arsimit dhe punësimit.
Me këtë marrëveshje, UBT thellon angazhimin e tij për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe afirmon pozicionin e tij si një aktor aktiv në rrjetet evropiane të bashkëpunimit akademik dhe shkencor.