Studentët e programit Inxhinieria e Agrikulturës, prej tash e tutje do të kenë mundësinë që të marrin diplomë të dyfishtë edhe nga “Sapienza University of Rome”, kjo si rrjedhojë e lidhjes së bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy universiteteve, me qëllim të ofrimit të mundësisë për studime të përbashkëta.
Programi “Dual Degree” ndërmjet UBT-së dhe “Sapienza University of Rome”, ndihmon studentët dhe stafin në ngritjen e kapaciteteve në infrastrukturë, praktikave të mira profesionale dhe në zhvillimin e projekteve të përbashkëta të stafit në sferën e hulumtimit.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe prorektori nga “Sapienza University of Rome”, Prof. Dr. Giuseppe Bonifazi, promovuan programin duke ftuar studentët dhe stafin që të jenë pjesë e këtij programi.
“Sapienza University of Rome” është një universitet kërkimor me seli në Romë të Italisë, si dhe është një nga universitetet më të mëdha evropiane për nga numri i studentëve dhe një nga më të vjetrit në histori, i themeluar në vitin 1303.