Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua Panairi i Punës i Kompanive Austriake, një organizim i përbashkët i UBT-së me Odën Ekonomike Austriake (Die Wirtschaftskammer Österreich), me qëllim të promovimit të punës së kompanive të ndryshme austriake, duke shënuar kështu një ngjarje të rëndësishme për të interesuarit nga Kosova që kanë dëshirë të kyçen në tregun e punës në Austri.
Përmes këtij panairi u shpalosen detaje nga ofertat e kompanive austriake, gjithashtu u bë shpërndarja e informacioneve të tjera të rëndësishme për to, si një mundësi unike dhe e shkëlqyeshme për studentët dhe të interesuarit e tjerë për t’u njohur me një sërë aktivitetesh të kompanive pjesëmarrëse.
Me këtë rast, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se ky panair është mbajtur me qëllim që studentëve të iu jepte një mundësi që të lidhen me kompani austriake, të cilat kanë nevojë për punëtorë.
“Kemi vendosur që ta mbajmë këtë panair pune për t’ju dhënë një mundësi studentëve që të lidhen me kompani austriake që janë të interesuara për punëtorë. Jam vetë qytetar austriak dhe kam studiuar atje, për t’u kthyer në Kosovë dhe ndërtuar UBT-në. Ky panair pune është i pari i këtij lloji në Kosovë. Jam shumë falënderues që kompanitë austriake kanë zgjedhur UBT-në”, tha rektori Hajrizi.
Wilhelm Nest, prezantues i kompanive austriake, tha se Austria është shtet mik i Kosovës dhe se ata e kanë parë potencialin që ka Kosova.
“Jemi në Kosovë për t’i ndihmuar kompanitë austriake për të punësuar në Kosovë. Austria është shtet mik i Kosovës dhe e ka parë potencialin që Kosova ka. Jemi një ndër shtetet e para që e kemi pranuar atë”, tha ai.
Kompanitë austriake që u prezantuan në panair janë:
- Artichoke Biotech;
- Bridge Personal & Service;
- eee group (bit media);
- KWB Energiesysteme;
- Tri-Wall Austria Packaging Systems.