Rektori i UBT-së prof.dr. Edmond Hajrizi dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në emër të institucioneve që drejtojnë, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e projektit për hartimin e strategjisë “Smart City Kosova” në qytetin e Vushtrrisë.
Ky projekt synon që të përgatisë dhe komunikojë strategji gjithëpërfshirëse të qyteteve të mençura, të cilat do t’u sigurojnë qyteteve të Kosovës qasje inovative ndaj problemeve të komunitetit, si dhe do të ndihmojnë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm hapësinor dhe urban.
“Kjo marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm drejt zhvillimit të qytetit të mençur në Vushtrri, ndërsa UBT tashme ka filluar me implementimin e këtij koncepti në Kampusin Inovativ në Lipjan, ku është krijuar një qendër e cila bashkon të rinjtë në zgjidhjen e problemeve të komunitetit të tyre.”, tha rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e ka mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me rektorin e UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi. Ai ka përshëndetur projektin të cilin UBT po e zhvillon në bashkëpunim me gjashtë komuna të Kosovës, produkt final i të cilit do të jetë hartimi i strategjive gjithëpërfshirës për zhvillim të mençur dhe të qëndrueshëm hapësinor, urban, socio-ekonomik dhe infrastrukturor për këto komuna.
Pjesë e projektit Strategjik “Smart City Kosova”, përveç komunës së Vushtrrisë, janë edhe komuna e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit dhe Lipjanit. Ndërsa në këtë projekt të iniciuar nga UBT përmes Institutit për Studime Urbane dhe Planifikim Hapësinor, janë të përfshira partnerë edhe universitete të njohura në botë, si Universitetin TU Wien, në Austri, ETH Zurich, në Zvicër, Universitetin HafenCity, në Gjermani, Universitetin Mimar Sinan Finë Arts, në Turqi. Zbatimi i këtij projekti zyrtarisht do të fillojë në muajin tetor.