UBT News

UBT dhe Italia bashkojnë forcat për inovacion dhe zhvillim ekonomik- hapet Qendra “Hub Revolution Your Start Up”

Në Qytetin e Mençur të UBT-së në Lipjan, u bë inaugurimi i Zyrës “Hub Revolution Your Start Up”. Kjo ngjarje përfaqësoi një hap të rëndësishëm në mbështetje dhe zhvillim të inovacionit, teknologjisë, dhe sipërmarrjes në rajon, duke krijuar një ambient frymëzues për të rinjtë dhe profesionistët që dëshirojnë të realizojnë idetë e tyre dhe të ndërtojnë të ardhmen.

Inaugurimi kishte për qëllim jo vetëm promovimin e vizionit të Hub Revolution Your Start Up si një qendër inovacioni dhe zhvillimi profesional, por edhe nxitjen e dialogut mes botës akademike dhe asaj të biznesit. Kjo është një mundësi për të krijuar ura bashkëpunimi që do të mundësojnë transferimin e njohurive, burimeve dhe aftësive ndërmjet këtyre dy sektorëve.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, vlerësoi iniciativën për themelimin e kësaj qendre, teksa nënvizoi se përmes këtij projekti, do të forcohet inovacioni dhe sipërmarrësia në rajon, duke sjellë një të ardhme më të zhvilluar dhe të shëndoshë.

“Kosova ka një popullatë të re dhe sektorë të rëndësishëm për zhvillim. UBT ka kapacitete të mjaftueshme për të edukuar në këtë nivel”, tha De Riu. Ai gjithashtu vuri në dukje kontributin e diasporës, e cila ka sjellë zhvillim dhe eksperienca të vlefshme në vend.

Ambasadori theksoi se disa organizata janë të gatshme të ndihmojnë në zhvillimin e start-up-eve dhe se është e rëndësishme të kërkohet zhvillimi përmes inovacioneve të reja dhe granteve nga Qeveria. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e sektorëve si agrobizneset dhe energjia e ripërtëritshme, duke ofruar zgjidhje për ndërmarrësinë.
Në përfundim, Ambasadori De Riu shprehu besimin se kjo qendër në UBT do të krijojë mundësi të reja për Kosovën dhe do të avokojë për start-up-et në Bashkimin Evropian. Kjo iniciativë ka potencialin për të transformuar peizazhin ekonomik të rajonit dhe për të inkurajuar inovacionin dhe sipërmarrjen në çdo nivel.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e inaugurimit të Zyrës “Hub Revolution Your Start Up” duke shprehur se “kjo është një ngjarje e rëndësishme sepse krijojmë një pikë të re në Kosovë, ku dëshirojmë të forcojmë bashkëpunimin me Italinë”. Ai theksoi se UBT ka ndërtuar një ekosistem inovativ me një hapësirë të shkëlqyer fizike dhe akademike, së bashku me infrastrukturë shtesë që mbështet këto partneritete.

Rektori Hajrizi vazhdoi duke theksuar se “ideja që kemi është se ka ende hapësirë për të mbështetur këtë bashkëpunim dhe për të rritur kompetencat në gjenerimin e lidhjeve me fondet për zhvillim”. Ai theksoi se bashkimi i forcave do të krijojë një qendër revolucionare, duke argumentuar se kjo është një mundësi e rëndësishme për të avancuar më tej.

Ai po ashtu theksoi rritjen e bashkëpunimeve me institucionet italiane, duke përmendur diplomat e përbashkëta dhe mobilitete të ndryshme që kanë kontribuar në ngjitjen e bashkëpunimit me industrinë italiane.

“Kemi arritur ta bëjmë gjuhën italiane gjuhë zyrtare në UBT, duke e shndërruar institucionin tonë në një qendër proaktive për lidhjet e bizneseve”, përfundoi ai, duke shprehur optimizëm për të ardhmen e bashkëpunimit me Italinë.

Massimiliano Adilardi nga d’Impresa, theksoi se “perspektiva e ndërmarrësisë në Kosovë është shumë e rëndësishme dhe çdo sipërmarrës duhet ta marrë parasysh këtë mundësi”. Ai vuri në dukje se ka shumë kapacitete te studentët e rinj dhe shprehu dëshirën për të kontribuar në këtë aspekt.
Adilardi, me një përvojë 40-vjeçare si ekspert në politikën fiskale, shprehu angazhimin e tij për të ofruar asistencë për kapacitetet që gjenden në Kosovë. “Do ta përdorim këtë si një pikë mbështetje për Universitetin UBT dhe do ta përcjellim këtë mbështetje te studentët, duke promovuar gjithashtu bashkëpunimin eurokosovar”, shtoi ai.
Ai përfundoi me një thirrje për të gjithë që të angazhohen në zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e këtij angazhimi për të ardhmen e vendit.

Flavio Boccia nga Flavio Boccia & Partners, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në projektin e ri, duke falënderuar të gjithë partnerët që kanë kontribuar me praninë e tyre. “Ne jemi këtu për t’u shndërruar në një motor të ndërmjetësimit të fondeve evropiane dhe për të zhvilluar hartën e veprimtarisë në Ballkan”, deklaroi ai. Ai e theksoi përkushtimin e kompanisë për të mbështetur zhvillimin ekonomik në rajon.
Në vijim, Paolo Stern, përfaqësues i Nexumstp – Your Next Step nga Roma, theksoi rolin e rëndësishëm të biznesit në këtë proces. “Është e rëndësishme që bizneset të jenë krijuese dhe të eksplorojnë interesat e tyre”, tha ai.

“Ne ofrojmë asistencë për të gjithë anëtarët tanë dhe do të angazhojmë ekspertët tanë për të fokusuar zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke bashkëpunuar me partnerët tanë”. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e ofrimit të trajnimeve për studentët, duke theksuar se “duhet të punojmë së bashku për të kontribuar në Evropë, duke marrë parasysh edhe Kosovën”.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe personalitete të tjera të shquara nga fusha e politikës, biznesit dhe ekonomisë, ndër të tjera folën edhe ish-kryetari i Komunës së Preshevës, tashmë nënkryetar në këtë Komunë, Profesori Ragmi Mustafa, Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Omer Nura, Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Xhelal Mehmeti, si dhe Francesca Mondello nga ICE – Italian Trade Agency.

Gjithashtu në këtë ngjarje, fjalën e mori edhe gjenerali Giuseppe Morabito, i cili diskutoi mbi rëndësinë e rinisë në Kosovë dhe rolin e UBT-së në mbështetje të saj. Ai theksoi se rinia përbën një potencial të madh për zhvillimin e vendit dhe se universitetet si UBT-ja luajnë një rol kyç në formimin e liderëve të ardhshëm./UBTNews/

Exit mobile version