Kompania e njohur e transportit, Uber, po bën hapin e parë në tregun e marijuanës, pasi përdoruesit e Uber Eats në Ontario të Kanadasë së shpejti do të jenë në gjendje të porosisin produkte kanabisi në aplikacion, përcjell UBT News.
Klientët do të jenë në gjendje të bëjnë porosi në një seksion të dedikuar të aplikacionit dhe më pas t’i marrin porositë në një dyqan aty pranë. Megjithatë, firma refuzoi të tregojë nëse do ta shpërndajë ofertën edhe më tej në Kanada dhe SHBA.
Tregu i marijuanës në Kanada vlen rreth 5 miliardë dollarë në vit.
Përdoruesit e Uber Eats do të duhet të verifikojnë moshën e tyre në aplikacion dhe më pas do të jenë në gjendje të marrin porositë e tyre brenda një ore, tha kompania.
Sipas ligjit kanadez, megjithëse përdorimi i marihuanës ka qenë i ligjshëm që nga viti 2018, dorëzimi i saj është ende i paligjshëm.
Uber ka kohë që synon tregun e kanabisit. Në prill, shefi ekzekutiv, Dara Khosrowshahi, tha se kompania do të konsiderojë shpërndarjen e kanabisit pasi të lejohet, sipas ligjit amerikan.
Pavarësisht se shitja e kanabisit për përdorim rekreativ u bë e ligjshme në Kanada tre vjet më parë, prodhuesit e paligjshëm ende kontrollojnë një pjesë të madhe të shitjeve. Kjo është diçka që qeveria po përpiqet të korrigjojë.
Uber tha se partneriteti i saj me Tokyo Smoke do t’i ndihmojë të rriturit në vend të blejnë kanabis të sigurt, të ligjshëm, kështu duke luftuar shitësit e paligjshëm./UBTNews/