Disa studentë afrikanë kanë mbetur të bllokuar në qytetin ukrainas të Khersonit, duke kërkuar ndihmë, teksa forcat ruse po përpiqen të konsolidojnë pushtimin e qytetit port.
Studentët i thanë CNN-it se shumicën e kohës po e kalojnë në bunkerë nëntokësorë në temperatura të ulëta, ndërsa ushtarët ruse po mundohen që të mos e lejojnë askënd të hyjë apo dalë nga Khersoni.
Shumë nga studentët folën në kushte anonimiteti për shkak të sigurisë së tyre.
“Ne po jetojmë një ankth. Nuk po jetojmë, po mbijetojmë. Shpresa e vetme… tani për tani është kur flemë, nëse mund të flemë. Shpresoj se nesër dikush do të thotë se ju do të evakuoheni”, deklaroi Christophe, student i vitit të parë nga Kameruni.
Ai shtoi: “Ne jemi studentë. Kemi ardhur për të studiuar. Nuk kemi ardhur për këtë. Dhe tani po e shihni, shumica e miqve tuaj që kanë jetuar në qytete tjera janë larguar. Nuk po përballen me këtë situatë. Mbase mund ta imagjinoni se si familjarët tanë na thërrasin çdo ditë dhe na thonë ‘Ju lutemi, na thuani se ka diçka të re’. Çfarë t’ju themi?”
23-vjeçari tha se ambasada e Kamerunit në Ukrainë nuk i ishte përgjigjur, pavarësisht se ai u kishte kërkuar ndihmë. Ai kontaktoi edhe ambasadat tjera në Evropë, dhe e vetmja ambasadë që iu përgjigj thirrjes së tij për ndihmë ishte ajo në Gjermani.
“Nuk po kërkojmë diçka tjetër. Vetëm ndihmë”, deklaroi ai.
Ambasada e Kamerunit në Gjermani i tha CNN-it përmes një emaili se po punojnë për t’i larguar studentët nga Khersoni, por momentalisht është shumë e vështirë.
Christophe dhe miqtë e tij kanë bërë thirrje publike për ndihmë në disa video të publikuara në Twitter.
Rrugët e Khersonit përshkohen me rreziqe dhe vështirësi. Shtetasi nigerian Akinyemi ka studiuar në Ukrainë. Ai tani jeton në Tyahynka, një fshat i vogël më pak se një orë larg Khersonit dhe punon si marinar.
Pavarësisht rrezikut, disa studentë janë përpjekur të largohen — pa shumë sukses.
“Ne formuam një grup dhe vumë re se pothuajse të gjithë janë ende këtu. Deri më tani, vetëm një djalë që unë e njoh ka arritur të largohet. Asnjë student tjetër nuk është larguar. Pothuajse 100% është ende këtu”, tha Akinyemi për CNN.
I sapodiplomuari jeton në Ukrainë që nga viti 2016 dhe përshkruan një jetë të tmerrshme nën praninë e forcave ushtarake ruse.
“[Rusia] lëviz pajisjet e saj ushtarake pothuajse çdo ditë. Ka shumë postblloqe të drejtuara nga ushtarë”, tha ai.
Akinyemi beson se zgjidhja për studentët e bllokuar brenda dhe rreth Khersonit është e thjeshtë: “Ne kemi nevojë për të gjitha mjetet e mundshme për të krijuar një korridor të gjelbër për rajonin e Khersonit, siç bënë me Sumy”.
Mes 8 dhe 10 marsit, të gjithë civilët në qytetin verilindor të Sumy arritën të largoheshin përmes korridoreve të evakuimit.
Studentë si Akinyemi dhe Christophe duan që zyrtarët e qeverisë ukrainase dhe afrikane të bëjnë negociata të ngjashme për largimin e sigurt të të gjithë civilëve në Kherson./UBTNews/