UBT News

U torturuan deri në vdekje – Zbulohen vrasjet masive në Mianmar

Ushtria e Mianmarit kreu një seri vrasjesh masive të civilëve në korrik që rezultuan në vdekjen e të paktën 40 burrave, sipas një hetimi të BBC-së.

Dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit thanë se ushtarët, mblodhën fshatarët përpara se t’i ndanin burrat dhe t’i vrisnin. Pamjet e videove nga incidentet tregojnë se shumica e të vrarëve fillimisht u torturuan e më pas u vendosën në varre të cekëta.

Vrasjet ndodhën në korrik, në katër incidente të veçanta në Kani Township – bastioni i opozitës në distriktin Sagaing në Mianmarin Qendror.

Ushtria është përballur me rezistencën e civilëve që kur mori kontrollin e vendit në një grusht shteti gjatë muajit shkurt, duke rrëzuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të udhëhequr nga Aung San Suu Kyi.

Vrasja më e madhe ndodhi në fshatin Yin, ku të paktën 14 burra u torturuan ose u rrahën për vdekje dhe trupat e tyre u hodhën në një gropë.

“Ne nuk duruam dot t’i shikonim, kështu që ulëm kokën, duke qarë”, tha një grua, vëllai, nipi dhe kunati i së cilës u vranë.

“Ne iu lutëm që të mos e bënin. Atyre nuk iu interesoi. Ata i pyetën gratë: “A janë burrat tuaj mes këtyre? Nëse janë, bëni ritet tuaja të fundit”.

“Disa ushtarë dukeshin të rinj, ndoshta 17 ose 18 vjeç, por disa ishin shumë të moshuar. Ishte edhe një grua me ta”, tha një burrë që i shpëtoi vrasjes.

Në fshatin Zee Bin Dwin, në fund të korrikut, 12 trupa të gjymtuar u gjetën të varrosur në varre masive të cekëta, duke përfshirë trupin e një fëmije dhe trupin e një personi me aftësi të kufizuara.

Trupi i një burri rreth të gjashtëdhjetave u gjet i lidhur në një pemë kumbulle aty pranë. Pamjet e kufomës së tij, treguan shenja të qarta torture. Familja e tij tha se djali dhe nipi i tij kishin ikur kur ushtria hyri në fshat, por ai kishte qëndruar, duke besuar se mosha e tij do ta mbronte nga pasojat.

Vrasjet dukej se ishin një dënim kolektiv për sulmet ndaj ushtrisë nga grupet e milicisë civile në zonë, të cilët po kërkojnë rivendosjen e demokracisë.

BBC ia dërgoi këto akuza zv. ministrit të Myanmarit për Informacionin dhe zëdhënësit ushtarak, gjeneralit Zaw Min Tun. Ai nuk e mohoi se ushtarët kishin kryer vrasjet masive.

“Kjo mund të ndodhë”, tha ai. “Kur na trajtojnë si armiq, ne kemi të drejtë të mbrohemi”.

Kombet e Bashkuara po hetojnë shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut të kryera nga ushtria e Mianmarit./UBTNews/

Exit mobile version