Këngëtarja britanike, Lily Allen, ishte në mesin e atyre që e kritikuan dhe u tallën me Katy Perryn për fluturimin në hapësirë.
Megjithatë, Allen tani i ka kërkuar falje yllit të famshëm për komentin që kishte bërë.
“Mendova shumë për këtë dhe kuptova se ishte krejtësisht e panevojshme ta kritikoja ashpër. Dua të them, nuk pajtohem me atë që bënë, por ajo nuk ishte e vetmja. Ajo ishte ndoshta më e famshmja”, tha ajo në një episod të ri të ‘podcast’-it të saj, “Miss Me?”.
“Sidoqoftë, më vjen keq. Do të më dhembte nëse do të isha në atë situatë dhe njerëzit do të përdornin emrin tim. Më vjen keq, Katy Perry. E di që nuk e shikon shfaqjen, por më vjen keq”, përfundoi ajo, duke iu drejtuar drejtpërdrejt këngëtares.
Perry ishte një nga pesë gratë që fluturuan në skajin e hapësirës më 14 prill. Përveç saj, kapsula e New Shepard përfshinte të fejuarën e Bezos, Lauren Sanchez, gazetaren Gayle King, producenten e filmave Karianne Flynn, ish-shkencëtaren e raketave të NASA-s, Aisha Bowe dhe aktivisten Amanda Nguyen.
Me të mbërritur në tokë, Katy ishte parë duke puthur tokën, teksa Lauren po i jepte një përqafim Jeff Bezos.