Sporti ka bashkuar studentët e UBT-së nga fakultete të ndryshme në një vend. Nën organizimin e UBT-së dhe Fakultetit Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes, është mbajtur turneu në futsal për nder të 20-vjetorit të themelimit të institucionit më të madh akademik të dijes – UBT.
Mbi 25 ekipe morën pjesë në këtë eveniment sportiv, në të cilin u bë bashkë aktiviteti fizik dhe dija për të krijuar një ekosistem interesant që bashkoi studentët dhe bëri një ndërlidhje unike mes sportit, shëndetit dhe shoqërisë.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se përmes këtyre aktiviteteve UBT përveç që po shënon 20-vjetorin e themelimit, ajo edhe po integron të rinjtë në këtë përvjetor ashtu siç ka vepruar tash e 20 vite.
“Aktivitetet dhe organizimet e tilla i japin frymë përvjetorit të 20-të të UBT-së, duke nderuar punën dhe angazhimin që është bërë deri më tani në UBT. Integrimi i të rinjve në komunitet është shumë i rëndësishëm dhe përmes turneve siç është ky i futsalit në kontribuojmë shumë në krijimin e një ekosistemi unik dhe të qëndrueshëm”, ka thënë rektori Hajrizi.
Profesori në Fakultetin Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes në UBT, Masar Gjaka, ka thënë se ky organizim është bërë në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të UBT-së, me qëllim që të ketë një harmoni mes studentëve edhe përmes sportit, në këtë rast futsallit.
Nga ana tjetër, profesori i futbollit në Fakultetin Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes në UBT, Nagip Lenjani, ka vlerësuar se ky organizim ishte i nevojshëm dhe përmes këtij turneu është parë se studentët e UBT-së përveç aftësive të tyre në anën akademike, ata kanë talent edhe në sportin e futsallit.
Studentët e UBT-së e kanë mirëpritur këtë organizim, duke marrë pjesë masivisht në këtë turne, i cili në një të ardhme mendohet të bëhet tradicional, duke plotësuar një ekosistem të vazhdueshëm të dijes me qendër gjeneratat e reja.