Në bibliotekën universitare të UBT-së, është mbajtur konferenca për siguri e titulluar: “Mbi ngjarjet në botën e sotme: Lufta”, ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të sigurisë shpalosën pikëpamjet e tyre për sa i përket zhvillimeve të fundit në botë.
Në këtë konferencë, në të cilën në panel ishin rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjeneral Giuseppe Morabito dhe inxhinieri Pierangelo Panozzo, u diskutua më gjerësisht për sigurinë jo vetëm të vendeve të cilat tashmë janë në konflikt, por edhe për sigurinë e rajonit.
Panelistët vlerësuan se ky është një momentum i rëndësishëm për të diskutuar për çështje të tilla, ngaqë bota është duke u përballur me sfida të reja dhe të pazakonta, duke u synuar ndryshime të thella në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Diskutimet e hapura të tilla dhe të thella së bashku me profesionistë, studentë dhe palë të tjera, janë të domosdoshme dhe i kontribuojnë shumë proceseve për t’u informuar më hollësisht mbi atë që është duke ndodhur në botë, si dhe për të nxitur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi sfidat shoqërore të sigurisë.