Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje për vendosjen e një raundi të ri sanksionesh kundër Rusisë, vetëm pak ditë para përvjetorit të tretë të pushtimit të Ukrainës. Kjo paketë e re ndëshkuese vjen në një moment kur diskutimet mbi fatin e Ukrainës po avancojnë, veçanërisht pas thirrjeve të ish-presidentit amerikan Donald Trump për negociata.
Sanksionet evropiane vijnë pas raundit të parë të negociatave mes amerikanëve dhe rusëv, të martën, në Arabainë Saudite, për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.
Në takim morën pjesë vetëm zyrtarë amerikanë dhe rusë, ndërkohë që evropianët janë përjashtuar nga bisedimet. Në takim mungonin edhe përfaqësues nga Ukraina.
Sekretari i Shtetit i Trump, Marco Rubio, sugjeron që evropianët të thirren në tryezën e bisedimeve për të diskutuar lehtësimin e sanksioneve ndaj Kremlinit.
Nga ana tjetër, Moska refuzon kategorikisht përfshirjen e Evropës, pasi sipas tyre mund të hidhnin ide dinake që mund të çojnë në dështimin e negociatave.
Sekretari i Shtetit në administratën e Trump, Marco Rubio, ka sugjeruar se BE-ja mund të përfshihet në një proces të ardhshëm negociatash për të shqyrtuar lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë. “Bashkimi Evropian do të duhet të jetë në tryezë në një moment, pasi edhe ata kanë vendosur sanksione,” deklaroi Rubio pas një takimi me homologun e tij rus në Arabinë Saudite. Ai shtoi se çdo zgjidhje do të kërkojë lëshime nga të gjitha palët.
Paketa e re e sanksioneve përfshin një ndalim të importeve të aluminit primar nga Rusia, një masë që më parë ishte diskutuar, por nuk ishte miratuar për shkak të shqetësimeve ekonomike të disa vendeve anëtare. Alumini i papërpunuar rus përbën rreth 6% të importeve të aluminit të BE-së, por kjo shifër është zvogëluar vitet e fundit pasi prodhuesit evropianë janë distancuar nga furnizuesit rusë.
Përveç sektorit të aluminit, BE-ja ka zgjeruar masat kundër “flotës hije” të Rusisë, një rrjet anijesh të vjetra dhe të pasiguruara që përdoren për të anashkaluar kufizimet perëndimore në tregtinë e naftës. Brukseli ka shprehur shqetësimin për rreziqet mjedisore që paraqesin këto anije, të cilat shpesh falsifikojnë të dhënat dhe fshehin origjinën e naftës.
BE-ja ka shtuar 73 anije të tjera në listën e zezë, duke e çuar numrin total në mbi 150. Këtyre anijeve u ndalohet hyrja në portet dhe përdorimi i shërbimeve të BE-së. Gjithashtu, për herë të parë, rregulloret e reja lejojnë që pronarët, operatorët dhe kapitenët e këtyre anijeve të përfshihen drejtpërdrejt në sanksione.
Paketa e fundit e BE-së gjithashtu përfshin përjashtimin e 13 bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT dhe pezullimin e licencave të transmetimit për tetë media ruse, të cilat akuzohen për përhapjen e propagandës shtetërore.
Marrëveshja e ambasadorëve të BE-së do të finalizohet të hënën, gjatë takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel, ku pritet të miratohet zyrtarisht raundi i 16-të i sanksioneve kundër Moskës.