Një person ka vdekur në Ferizaj pas një përleshje fizike që kishte me një tjetër person në parkingun e një pompe të derivateve.
Policia njofton se i dyshuari e kishte goditur me grusht në kokë viktimën, dhe ky i fundit kishte rënë me kokë në asfalt. 50-vjeçari ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe kishte ndërruar jetë.
“Rreth orës 15:30, policia ka marrë informatën për një rast lëndim i rëndë trupor si pasojë e përleshjes mes dy personave i cili kishte ndodhur në parkingun e një pompe të derivateve në fshatin Bibaj. Për motive ende të panjohura i dyshuari ka goditur me grusht në kokë viktimën (m/Kosovar 50 vjeçar)i cili ka ra me kokë në asfalt dhe nga ana e të dyshuarit është dërguar në ambulancë dhe i njëjti –i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Viktima,pas marrjes së ndihmës së parë është dërguar për në QKUK-Prishtinë ku rreth orës 00:45 nga ana e mjekut jemi njoftuar se viktima kishte ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML. Hetuesit policorë janë duke punuar intensivisht për arrestimin e personit të dyshuar, i cili është i njohur për policinë./UBTNews