Një grua nga Minnesota është bërë virale në internet pas publikimit të fotos së saj të arrestimit, për shkak të ngjashmërisë së madhe me këngëtaren e njohur Jennifer Lopez.
Cyrena Anne Quast, 35 vjeçe, u arrestua më 30 gusht në Monticello, pasi dyshohet se kishte vjedhur dy paketime me bateri për vegla elektrike, me vlerë rreth 580 dollarë, sipas një kallëzimi penal të siguruar nga The Watch MN.
Një punonjës i dyqanit thuhet se e kishte njohur Quast nga një vjedhje e dyshuar e ndodhur dy ditë më herët dhe kishte njoftuar policinë.
Sipas raportimeve, Quast pranoi se kishte vjedhur bateritë dhe u regjistrua me akuzën për vjedhje.
Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen në internet ishte fotografia e saj e arrestimit, e publikuar nga Zyra e Sherifit të Qarkut Wright, pasi shumë përdorues vunë në pah ngjashmërinë e saj me Jennifer Lopez.
“Për një moment mendova se ishte J.Lo, hahaha”, shkroi një përdorues.
Të tjerë reaguan me humor, duke e lidhur ngjashmërinë me këngën e Lopezit të vitit 2002, “Jenny from the Block”.
“Ka ndodhur një defekt në matricë”, shkroi një komentues, ndërsa një tjetër tha: “Në burg njihet si Jenny from D-Block!”
Fotografia e të arrestuarës ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, me përdoruesit që vazhdojnë të komentojnë ngjashmërinë e saj me yllin e muzikës dhe filmit.
Sipas Daily Mail, Quast u lirua një ditë pas arrestimit./A.K/
