Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakajt, i cili u arrestua nga autoritetet serbe të premten në Merdarë, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji në Serbi. Këtë e ka konfirmuar avokati i familjes, Xhevdet Smakiqi, teksa shtoi se do të ushtrohet e drejta për ankesë.
“Ai ndodhet në Beograd në qendrën e paraburgimit nga Kushumli e kanë dërgu. Mbrëmë vonë unë kam marrë informacion nga avokati i caktuar nga shteti serb që i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tash ka me ushtru ankesë”, ka deklaruar avokati derisa shtoi se ai po dyshohet për krime lufte.
Hasan Dakaj nga Prizreni është arrestuar të premten e 5 janarit, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdare. Nga Prokuroria serbe pretendohet se Dakaj ka kryer krime lufte si 19-vjeçar në vitin 1999.