Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhërarrest ndaj të dënuarit me 10 vjet burgim për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Marko Roshiq.
Fillimisht, Gjykata thekson se me rastin e shpalljes së aktgjykimit në gjykimin për vrasjen së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka caktuar edhe masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit Marko Roshiq dhe menjëherë është lëshuar aktvendimi për caktimin e paraburgimit dhe i është dërguar Stacioni Policor në Veri për ekzekutim.
Nga Gjykata kanë sqaruar se pas pranimit të vendimit për ekzekutimin e aktvendimit të Gjykatës, Stacioni Policor në Veri ka ndërmarrë veprime për arrestimin e të dënuarit, por ai nuk është gjetur në adresën e banimit.
Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për të akuzuarin Roshiq.
“Nga Stacioni Policor në Veri, gjykata është njoftuar se ka ndërmarr veprime për ekzekutimin e aktvendimit të gjykatës, mirëpo i akuzuari nuk është gjendur në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, duke lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e të akuzuarit M.R. dhe dërgimin e tij në qendrën e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Në përgjigjen e Gjykatës, po ashtu thuhet se aktventimi për caktimin e paraburgimit i është dërguar edhe avokatit të të pandehurit, Mahmut Halimi.
“Lidhur me pyetjen tuaj, aktvendimin e gjykatës për caktimin e paraburgimit, avokati i të pandehurit M.R e ka pranuar me datë 28.06.2024”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, avokati Halimi, gjatë një prononcimi ka thënë shkurtimisht se nuk e ka pranuar aktvendimin për caktimin e paraburgimit.
“Jo”, tha ai shkurtimisht.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vite burgim së bashku.
Në shpallje të aktgjykimit, gjykatësi Valon Kurtaj kishte deklaruar se me aktvendim të veçantë, Roshiqit do t’i caktohet masa e paraburgimit./Betimipërdrejtësi