Twitter ka pranuar se amplifikon më shumë postime nga politikanët dhe mediat e krahut të djathtë sesa përmbajtje nga burimet e majta, transmeton UBT News.
Platforma e mediave sociale ekzaminoi postimet në Twitter nga zyrtarë të zgjedhur në shtatë vende -Mbretëri të Bashkuar, SHBA, Kanada, Francë, Gjermani, Spanjë dhe Japoni.
Gjithashtu u hulumtua nëse përmbajtja politike nga organizatat e lajmeve u zgjerua në masë në Twitter, duke u fokusuar kryesisht në burimet e lajmeve amerikane si Fox News, New York Times dhe BuzzFeed.
Studimi krahasoi ballinën “Home” të Twitter – mënyra e paracaktuar se si u shërbehen tweet-at 200 milionë përdoruesve të tij, në të cilin një algoritëm përshtat atë që përdoruesit shohin me afatin kronologjik tradicional ku tweet-at e fundit renditen të parët.
Hulumtimi zbuloi se në gjashtë nga shtatë vende, përveç Gjermanisë, tweet-at nga politikanët e djathtë u shfaqën më shumë nga algoritmi sesa të atyre nga e majta. Kjo vlen edhe për organizatat e lajmeve me prirje të djathtë.
Mbi këtë bazë, mospërputhja më e fuqishme midis të djathtës dhe të majtës ishte në Kanada (Liberalët 43%; Konservatorët 167%), e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (Laburistët 112%; Konservatorët 176%).
Twitter tha se nuk ishte e qartë pse ballina “Home” i prodhoi këto rezultate dhe tregoi se tani mund të ketë nevojë të ndryshojë algoritmin e tij, përcjell UBT News.
Një postim nga Rumman Chowdhury, drejtor i inxhinierisë së softuerit në Twitter dhe Luca Belli, studiues në Twitter, thanë se gjetjet mund të jenë “problematike” dhe se duhet bërë më shumë studime.
Ata pranuan se ishte shqetësuese nëse disa cicërima do të merrnin trajtim preferencial si rezultat i mënyrës në të cilën përdoruesit ndërvepruan me algoritmin duke përshtatur atë që ata dëshirojnë të shfaqet në ballinën e tyre.
Twitter tha se do t’i vinte në dispozicion hulumtimet e tij për të tjerët dhe po përgatitet të lejojë palët e treta të kenë qasje më të gjerë në të dhënat e tij, lëvizje kjo që po kërkohet edhe nga Facebook.
Facebook po nxitet nga politikanët në të dy anët e Atlantikut që t’ua shpërndajë hulumtimin e tij palëve të treta pasi dhjetëra mijëra dokumente të brendshme që tregonin se kompania e dinte se aplikacioni i saj, Instagram, dëmtoi shëndetin mendor të adoleshentëve, u zbuluan nga sinjalizuesja Frances Haugen./UBTNews/