UBT News

Twitter padit Elon Musk-un

Twitter tha të mërkurën se po e padit miliarderin Elon Musk, duke kërkuar që ta detyrojë atë të përfundojë blerjen prej 44 miliardë dollarësh të kësaj kompanie të mediave sociale. Me këtë hap, Twitter po nis një betejë ligjore me njeriun më të pasur në botë.

Musk njoftoi të premten se do të tërhiqet nga marrëveshja e arritur në muajin prill për blerjen e kompanisë. Ai pretendoi se Twitter nuk kishte dhënë informacion në lidhje me numrin e llogarive false dhe spam në platformë.

Në padi thuhet se Musk është tërhequr nga marrëveshja sepse ajo “nuk i shërben më interesave të tij personale”.

“Pasi bëri një spektakël publik duke përdorur Twitter-in dhe duke propozuar që të ketë marrëveshje miqësore me shitësin, Musk duket se beson se ai – për dallim nga palët e tjera që janë subjekt i ligjit të kontratës së Delauerit – është i lirë të ndryshojë mendjen, ta sulmojë kompaninë, të pengojë operacionet, të shkatërrojë vlerën e aksioneve, dhe të largohet nga marrëveshja”, thuhet tutje në padi.

Musk është shef ekzekutiv i kompanisë së makinave elektrike Tesla./UBTNews/

Exit mobile version