UBT News

Twingo elektrik shënon rekord të zhvillimit te Renault

Nuk do ta kuptonit nga pamja e tij e ëmbël me “sytë e bretkosës”, por Twingo elektrik, që pritet të dalë në treg vitin e ardhshëm, do të jetë Renault më i shpejtë i prodhuar ndonjëherë – jo për shpejtësinë në rrugë, por për shpejtësinë e zhvillimit.

Po, më i shpejtë se Clio V6, Mégane RS Trophy-R dhe madje edhe Espace i famshëm i viteve ’90 me motor Formula 1 V10.

Ky model i ri, me çmim 20,000 euro, do të jetë automjeti i parë i Renault i zhvilluar për më pak se dy vjet, vetëm 100 javë. Kjo është gjysma e kohës që kompania kishte nevojë vetëm pak vite më parë për të krijuar një makinë të re.

Edhe pse kjo “shpejtësi” nuk ka të bëjë me performancën në pistë, është hap i madh strategjik në përpjekjen e Renault për të konkurruar me prodhuesit kinezë dhe për të mbetur relevant në epokën e automjeteve elektrike.

Një proces i përshpejtuar zhvillimi

Ky ritëm rekord është pjesë e projektit Leap 100, një nismë që synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e planifikimit, dizajnimit, zhvillimit dhe prodhimit të automjeteve të reja. Për krahasim, Renault 5 dhe Renault 4, të ndërtuar mbi platformën Ampr Small EV, u zhvilluan secili për rreth tre vjet. Twingo do të shkojë edhe më tej, duke përdorur të njëjtën platformë e komponentë të përbashkët për të kursyer kohë dhe kosto.

Arsyeja pas nxitimit

Sipas Cedric Combemerel, zëvendësdrejtor i teknologjisë në Renault, shpejtësia është çelësi për t’iu përgjigjur trendeve të tregut që ndryshojnë me ritëm të shpejtë.

“Dy vjet më parë, të gjithë përdornin bateri litium NMC dhe ndiheshin të sigurt. Sot, tregu kërkon LFP, dhe kush nuk përshtatet shpejt, mbetet prapa,” – shpjegon ai.

Kjo qasje, lejon që kompania të marrë vendime fleksibile në momentin e fundit e të përshtatet më shpejt me kërkesat reale të tregut.

Teknologjia si motor i zhvillimit

Renault e pranon se një cikël zhvillimi njëditor është ende i paarritshëm, por dy vjet mbeten një objektiv ambicioz. “Nuk mund të ndash shpejtësinë nga teknologjia – ato ecin bashkë,” – thekson Combemerel.

Çfarë synon projekti Leap 100?

Programi Leap 100 synon të reduktojë:

16% të kohës në fazat e planifikimit,

41% në zhvillim (nga dizajni te përsosja e teknologjisë),

dhe 26% në fazën e industrializimit (prodhim dhe shpërndarje).

Renault po kërkon kursime kohe në shtatë fusha kryesore: qeverisje, dizajn, kontroll cilësie, përdorim të AI-së dhe të dhënave, validim, homologim dhe strategji furnizimi.

Në fund, Twingo elektrik nuk do të jetë thjesht një makinë e vogël për qytet, por simboli i një epoke të re për Renault – një epokë ku shpejtësia e zhvillimit bëhet po aq e rëndësishme sa ajo e motorit. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version